Çka duhet të dijë mbi plastikat?

Plastika nuk është aq material i thjeshtë sa mendohet. Nuk ekziston vetëm një lloj i materialit plastik, psh sikurse ekziston një lloj i pambukut. Në këtë artikull trajtohen karakteristika të ndryshme të materialit, duke e demistifikuar atë për përdoruesin. 

 

Pra, ka lloje të ndryshme të plastikave ashtu si edhe në produkte të ndryshme që përdoret psh. Industri ushqimore, tekstil, ndërtimtari, medicinë, teknologji etj. 
Secili lloj i plastikës është familje në vete dhe i ndryshëm nga familjet e tjera, pra, dallojnë sikurse materiali i qelqit me hekurin - anipse të gjitha quhen Plastikë. Disa prej plastikave janë të ripërdorshme, të tjerat lëshojnë kimikate të rrezikshme pas disa përdorimesh. Disa janë lehtësisht të riciklueshme, ndërsa të tjera kanë nevojë për trajtime më të sofistikuara dhe më të ndërlikuara.

Në pjesën e pasme apo të poshtme të një produkti plastik do të gjejmë një numër të futur në një trekëndësh me shigjeta. Zakonisht këtë trekëndësh e identifikojmë si shenjën e riciklimit. Mirëpo, në plastika dhe në këtë formë, ky numër nuk tregon se sa herë është ricikluar apo sa herë mund të përdoret produkti… në fakt, ky numër tregon llojin e plastikës që është përdorur për t’a krijuar atë produkt specifik.

Për hir të mjedisit dhe shëndetit tonë, është e rëndësishme që t’i njohim llojet e ndryshme të plastikës, përdorimet dhe kodet e identifikimit të tyre. Dija në këtë temë na ndihmon që si konsumator të jemi më të informuar lidhur me vendimet tona të blerjes të cilat ndikojnë në shëndetin dhe mjedisin tonë. 
Përveç kësaj, është e rëndësishme të njihemi me kodet SPI të një produkti plastik për të klasifikuar llojet e ndryshme të saj që të ndajmë plastikën në mënyrë efektive për ripërdorim apo riciklim.

Kodet e riciklimit të plastikës: çka janë kodet SPI?

Në vitin 1988, Shoqëria e Industrisë së Plastikës (SPI) krijoi një sistem të klasifikimit për plastikat në mënyrë që të ndihmojë konsumatorët për ndarjen e tyre në riciklim. Sot, këto kode duhet të vendosen nga prodhuesit në të gjitha produktet e prodhuara nga palstika.

Cilat janë kodet SPI dhe çka na tregojnë ato mbi plastikat?

Kategoria/Kodi (1) PET - Polyethylene terephthalate  [shq. polietileni tereftalat]
Plastika që e ka kodin SPI 1 është plastikë e quajtur polietilen tereftalat. Produktet e punuara nga kjo plastikë kryesisht thithin aromat, yndyrërat e shijet nga ushqimet dhe pijet që ambalazhojnë. Megjithatë, ky material është një prej më të përdorurve zakonisht për gjëra thelbësore dhe të përditshme. Nga PET krijohen kryesisht këto produkte:  shishet e ujit dhe lëngjeve, ambalazhet e ushqimeve të ndryshme psh. Mbajtëse dredhëzash apo sallate, ambalazhime të ushqimit merr me vete, konop, tote bags, mbushja e jakneve të dimrit, tepih etj.

Kategoria/Kodi (2) HDPE - High Density Polyethylene [shq. polietilen me dendësi të lartë]
Plastika që e ka kodin SPI 2 është plastikë e quajtur polietileni me densitet të lartë. Këto produkte nuk marrin aroma apo yndyrëra nga produktet të cilat i përmbajnë. Megjithatë për shkak të rrezikut të kontaminimit nuk është e sigurt të ripërdornet një shishe HDPE si enë ushqimore ose për pije nëse fillimisht nuk ka përmbajt ushqim në to. (Psh. shishet e shamponit nuk duhet te ripërdoren për tu mbushur me lëngje ushqimore, por mund të ripërdoren për tu mbushur sërish me shampon.) Nga HDPE krijohen kryesisht: Qeset, qeset per mbeturina, shishet e vajerave per motor, shishe per produkte higjienike (shampone, zbutes detergjent, zbardhues), kapakët e shisheve plastike dhe tetrapakëve etj.

Kategoria/Kodi (3) PVC - Polyvinyl Chloride [shq. polivinil klorid]
Plastika që e ka kodin SPI 3 është plastikë e quajtur polivinil klorid. Ky lloj nuk duhet të ketë kontakt me ushqim pasiqë lëshon kemikate të helmueshme dhe të rrezikshme. PVC është i më shumë i përdorur në sektor industrial si në atë të hidraulikës dhe ndërtimit. Produktet e krijuara nga PVC janë: dyshemetë në fusha sportive, gypat e ujit, filmi plastik i mbështjelljes së ushqimeve, disa qese, tjegulla, kornizat e dritareve, gypat e kanalizimit, këpucë, ulluqet etj.

Kategoria/Kodi (4) LDPE - Low-Density Polyethylene [shq. polietilen me dendësi të ulët]
Plastika që e ka kodin SPI 4 është plastikë e quajtur polietileni me densitet të ulët. Ky lloj ka tendencë të jetë i qëndrueshëm dhe fleksibil, gjithashtu mendohet se nuk lëshon kimikate të dëmshme, duke e kategorizuar atë si të sigurt për ruajtjen e ushqimit.
Produktet që krijohen nga LDPE jane: qeset e zakonshme, film plastik për mbështjelljen e ushqimit, mbështjellës të ndryshëm ushqimor, qese të ushqimeve të ngrira, kapak fleksibil të kutive, shishe që ndrydhen si keçapi, mustarda etj.

Kategoria/Kodi (5) PP - Polypropylene [shq. polipropilen] 
Plastika që e ka kodin SPI 5 është plastikë e quajtur polipropilen. Ky lloj është i fortë dhe zakonisht mund të përballojë temperatura shumë të larta. Kjo është arsyeja pse disa enë plastike mund të futen në mikrovalë pa u shkrirë! 
Ky material përdoret kryesisht për gjësende që duhet të përballojnë shumë nxehtësi si kontejnerët e ushqimit,  enë kuzhine, ambalazhim i ushqimit "merr me vete", gota dhe pjata një përdorimshe, mobilieri plastike, shishe të kimikateve si produktet e pastrimit të banjos, produktet e ndihmës së parë, shiringa, pelenat e foshnjeve etj.

Kategoria/Kodi (6) PS - Polystyrene [shq. polistiren]
Plastika që e ka kodin SPI 6 është plastikë e quajtur polipropilen.  polistiren. PS mund të riciklohet, por jo në mënyrë efikase; riciklimi i tij kërkon shumë energji, që do të thotë se pak impiante e pranojnë atë. Prandaj është arsye e mirë të investojmë në gjëra të ripërdorshme si filxhani i kafës dhe ushqimi në shtëpi, për të evituar ambalazhim kafe dhe ushqimi “merr me vete” . Nga kjo plastikë rkyesisht krijohen: kartonat e vezëve, pjatat e plastikës, të gjithë kontejnerët dhe ambalazhet për ushqime që porositim nga restorantet apo baret, konteinerët nga shkuma plastike, helmetat e biçikletave, frigoriferët, furrat, mikrovalët, thithëset elektrike, kondicionerët e ajrit etj.


Kodi (7) Other - [shq. të tjera]
Plastika që e ka kodin SPI 7 përcaktojnë lloje të ndryshme të plastikës që nuk përfshihen në gjashtë kodet e sipërme. Ky lloj kryesisht është një përzierje e materialit plastik me një material tjetër dhe nuk ka karakteristika të ngjashme dhe homogjene duke mos iu përshtatur rregullave të identifikuara me një kod specifik SPI.
Plastikat e tilla janë psh: akrilik plastika (PMMA) përzierje e fibrave të qelqit me plastikë, polikarbonati (PC) përzierje e plastikës me karbon etj. Produktet të cilat kryesisht përmbajnë kodin 7 janë: shishet e pijes për foshnje, ftohësit e shisheve, disa pjesë të veturave, najloni, CD-të, telefonat mobilë, plexiglass, dritaret e aeroplanëve, mbështjellës të ndryshëm të arrave dhe kikirikëve, qese ushimi të ngrirë etj.


.