E përdori çdo ditë, po’ sa kam dije për plastikën PET?

Kategoria (1) PET - Polyethylene terephthalate  [shq. polietileni tereftalat]

Si prodhohet PET?

Baza e PET përmban etilen glikol dhe acid tereftalik të cilat kombinohen të formojnë granulat e PET. Këto granula nëpërmjet nxehjes kthehen në lëng duke marrë lehtësisht formën e imagjinatës tonë. 
Në temperatura edhe më të larta të përpunimit PET kristalizohet dhe errësohet duke u bërë më i ngurtë dhe duke humbur fleksibilitetin. Kjo formë e kristalizuar e PET zakonisht përdoret për mbështjellës apo kontejnerë të ushqimit të cilat mund të nxehen përseri në furrë apo mikrovalë.

PET mund të kthehet edhe në fibra nëpërmjet një procesi kimik dhe të nxehtësisë dhe kur përdoret për tekstile ai quhet me emrin e famshëm “Poliester”. Kur PET përdoret për ushqim apo pije quhet “PET” ose “Rezinë PET” kurse një verzion i vjetër i emrit ishte i njohur si “PET-P”. 

Kjo plastikë më së shumti përdoret në formë tekstili pra si “Poliester”, ku sot më shumë se 80% e garderobës tonë përmbanë poliester.

PET është po ashtu i famshëm si paketim i ujit, pijeve dhe lëngjeve, i salcave për sallatë, vajrave për gatim, shamponë, sapun të lëngshëm të duarve e deri tek topat e tenisit e shumë e shumë produkte dhe ambalazhime të tjera. Klasat e veçanta të PET përdoren për kontejnerë ushqimorë “merr me vete” dhe mbajtëse me ushqime të ngrira dhe të pregaditura të cilat ngrohen në mikrovalë.

Historia e PET

PET së pari u zbulua në Amerikë gjatë mesit të vitit 1940 nga kimistët DuPont të cilët po hulumtonin për polimer prej të cilëve mund të prodhoheshin fibra tekstili të cilat u quajtën “Dacron”. Mbi këtë eksperimentim, në fund të viteve të 50-ta, u zbulua edhe një mënyrë e re e zgjatjes së shtresave të PET për të krijuar kështu PET film i cili masivisht përdoret për video, fotografi, filma me rreze X dhe paketim filmash. 

Ndërsa në vitet 70, teknologjia e avancuar mundësoi që PET të shndërrohet në shishe të forta, të lehta dhe të qëndrueshme nga thyerja. 
Sot ky material është një prej kategorive të plastikës që përdoret më së shumti në treg. Më shumë se gjysma e fibrave sintetike në botë është e bërë prej PET dhe të gjitha shishet njëpërdorimshe përmbajnë materialin PET

Fakte:

Shishja PET u patentua në vitin 1973 nga kimisti Nathaniel Wyeth;

  • Shishja e parë PET u riciklua në vitin 1977;
  • Që nga viti 1978, prodhuesit e kanë lehtësuar peshën e shisheve 2 litra të PET për 29%, nga 68 gram në 48 gram;
  • Riciklimi i 1 ton kontejnerë PET kursen 5.6 metra kubik të hapësirës së deponisë;
  • Në vitin 2005, një familje mesatare ka gjeneruar 19.05 kg mbeturina të shisheve plastike PET;
  • Katërmbëdhjetë shishe PET gjysëm litërshe përmbajnë aq fibra sa për të prodhuar një fanellë me mëngë të shkurtra XXL;
  • 14 shishe gjysëm litërshe PET nevojiten për të ndërtuar 0.09 metra katror të qilimit;
  • 63 shishe gjysëm litërshe PET duhen për të prodhuar një gjemper;
  • 14 shishe gjysëm litërshe PET nevojiten të prodhosh një xhaketë skijimi;
  • 85 shishe gjysëm litërshePET  duhen të prodhosh një çantë-gjumi(sleepingbag).

Pse PET përdoret kaq shumë?

  • I lehtë: prodhohet me kosto të ulët dhe kërkon më pak energji për transport;
  • I sigurtë sepse nuk thehet;
  • I përshtatshëm për t’u mbajtur me vete;
  • Mund të riciklohet dhe ripërdoret shume herë (edhe pse nuk riciklohet pothuajse fare);
  • Mund të shndërrohet në çfarëdolloj forme duke mundësuar që markat të ndërtojnë identitetin e tyre; 
  • Fleksibil: Prodhuesit mund të ndryshojnë nga një formë apo madhësi në tjetrën.