KEQMENAXHIMI I MBETJEVE PLASTIKE
Plastika që keqmenaxhohet dhe hidhet në ambient nga njerëzit nuk ndal emetimet aty por liron edhe më shumë gazra përderisa shpërbëhet në natyrë. Kjo rezulton si pasojë e radiacionit solar që gjeneron gazra serrë si në ajër ashtu edhe në ujë. Përpjekjet për të matur këto emetime janë ende në fazat fillestare, por studimi i parë që është bërë demonstron vetëm plastikën në oqeane (duke përjashtuar atë që e hedhim në dhé) dhe tregon se si ajo vazhdimisht liron gazra serrë në oqeane siç është metani dhe këto emetime ngriten në nivel përderisa ajo shpërbëhet në ujë. Vlerësimet aktuale adresojnë vetëm 1% të plastikës që gjendet në sipërfaqen e oqeaneve kurse 99% e emetimeve të plastikës që gjenden në thellësi të oqeanit ende nuk mund të maten me precizitet. Në mënyrë të konsiderueshme, hulumtimi tregon se plastika në bregdet, brigje të lumit apo peisazhe liron gazra serrë në norma marramendëse.
Industritë petrokimike planifikojnë të zgjerojnë prodhimin e plastikës dhe kërcënojnë përkeqësimin e impaktit klimatik të plastikës duke thyer limitin e ngrohjes globale deri në 1.5 gradë. Nëse prodhimi, hedhja dhe djegia vazhdojnë të rriten në këtë trajektore si deri më tash, nga viti 2030 këto emetime kanë për të arritur 1.34 gigaton për vit, ekuivalente me 295 pesëqind-megavat termocentrale qymyri. Kurse nga viti 2050, prodhimi dhe djegia mund të emetojnë 2.8 gigaton të karbonit për vit, duke liruar aq shumë emetime sa 615 pesëqind-megavat termocentrale qymyri.
DEPONITË E MBETURINAVE
Në një deponi moderne grumbuj të shtrënguar fortë të mbeturinave mbyllen nën barriera gome dhe balte me një astar përmbi i cili e parandalon rrjedhjen e lëngjeve jashtë përmes kanaleve dhe tubacioneve që mbledhin lëngun e kontaminuar dhe e mundësojnë rrjedhjen jashtë gropës. Ky lëng i kulluar dhe i mbushur me toksina para se të lirohet, mblidhet nëpër pellgje dhe trajtohet në mënyrë të veçantë. Kur gropa e mbeturinave arrin kapacitetin e saj të mbajtjes ajo mbyllet duke u mbuluar me baltë dhe me një mburojë plastike përmbi.
Deponitë në përgjithësi, nuk janë të dizajnuara për t’i degraduar mbeturinat, ato thjeshtë janë të përbëra për t’i ruajtur dhe mbyllur brenda. Disa prej mbeturinave të biodegradueshme (si p.sh. ushqimet) në një ambient pa oksigjen dekompozohen në mënyrë tepër të ngadalshme. Për shkak të mungesës së oksigjenit, bakteriet prodhojnë gaz metani, një gaz tepër i rrezikshëm që mund të ndizet lehtë dhe të marr flakë. Nëse metani lejohet të mblidhet nëntokë, për shkak që është tejet flakërues, ai mund të shpërthej, e përveç këtyre fakteve është po ashtu njëri prej gazrave serrë i cili kontribuon në ngrohjen globale. Deponitë moderne kanë sisteme që mbledhin këtë gaz në shtresa të pipetave të cilat janë të vendosura përmbi shtresën e mbeturinave solide. Sipas NYSDEC (New York State Department of Environmental Conservation) disa prej deponive e lejojnë këtë gaz të dalë në natyrë kurse disa prej tyre e shesin apo e djegin si burim të energjisë. Deponitë dhe mjedisi natyror janë destinacionet përfundimtare për më shumë se ¾ të mbeturinave plastike të padegradueshme pas një vlerësimi të ri global.
Sipas një raporti të shkencëtarëve në Science Advances, nëse tendencat aktuale në prodhimin e plastikës dhe menaxhimin e mbetjeve vazhdojnë në këtë mënyrë, mbeturinat plastike të vendosura në deponi dhe mjedise natyrore - aktualisht 4.9 miliardë ton metrik - do të dyfishohen në vitin 2050. Për të kuptuar se sa shumë plastikë kemi prodhuar globalisht, hulumtuesit e kanë matur prodhimin global plastikë prej shoqatave tregtare dhe kompanive të hulumtimit të tregut. Në vitin 2015 totali i të gjithë plastikës të prodhuar ndonjëherë, që nga 1950, është 8.3 miliard ton metrik. Prodhimi është bërë aq i shpejtë saqë nga e gjithë plastika e prodhuar ne vitin 1950, gjysma e plotë e saj është prodhuar vetëm këto 13 vitet e fundit.
Me fjalë tjera përreth 400 milion ton metrik ka qenë i qëndrueshëm për 50 vjet, por që nga viti 2002, e kemi dyfishuar këtë rendiment. Sipas hulumtimeve vetëm 30% (2.5 miliard ton metrik) të të gjithë plastikës që është prodhuar ndonjëherë janë ende në përdorim. Pjesë e këtij trendi është se gjysma e plastikës polimer shndërrohet në material paketimi. Një mori e madhe e paketimit plastikë hudhet në të njejtin vit që blihet. Mesatarja e përdorimit të një qeseje plastike është 12 minuta në krahasim me jetëgjatësinë e saj që konstatohet si 1000+ vjet. Në 2015, 146 milion plastikë polimer është përdorur për paketim dhe 141 miliard ton metrik është hedhur. Në kontrast me plastikën pa fibra prej së cilës 65 milion ton metrik janë konsumuar në ndërtimtari për arsyeje se përdoret për qëllime afatgjata, vetëm 12 milion ton metrik apo 5% të të gjithë mbeturinave të bëra ndonjëherë është shkaktuar nga ndërtimtaria. Ndotja globale plastike është rritur dyfish prej vitit 2000 deri në vitin 2019 për 353 milion ton. Pothuajse ½ e të gjitha plastikave vjen nga ato që kanë pasur jetëgjatësi më të shkurtër se 5 vjet, prej të cilave 40% janë ambalazhe, 12% mallra konsumuese dhe 11% tekstil dhe rroba.
Bota është duke prodhuar dy herë më shumë mbeturina plastike sesa 2 dekada më parë prej së cilës 50% përfundon në deponi, 19% digjet, 22% hudhet në natyrë (tokë, lumenj, oqeane, detëra, liqene etj.), kurse vetëm 9% prej saj riciklohet. Thuajse gjysma e gjithë plastikës që prodhohet mblidhet në mënyrë joadekuate dhe hedhja e plastikave të mëdha të njohura si makroplastikat shndërrohen në mikroplastika (polimer me diametër më të vogël se 5mm) prej gjërave siç janë ato industriale, tekstili sintetik, pjesë makine etj. Shtetet OECD (Organisation for Economic Co-operation and Development) qëndrojnë prapa 14% të hudhjes totale plastike. Përbrenda saj, ata janë përgjegjës për 11% të ndotjes makroplastike dhe 35% të ndotjes mikroplastike.
DEKOMPOZIM I NGADALSHËM APO FARE?
Plastika ëshë term i gjerë i shumë materialeve që i përkasin kategorive të ndryshme (PET, PVC, LDPE etj.) Të gjitha këto materiale e përmbajnë të njejtin problem: “degradimin natyral”.
Në kushte normale në natyrë, shishet e plastikës (Kategori (1) PET/PETE) i duhen 500 deri në 700 vjet të shpërbëhen, me një proces tepër të ngadalshëm, kurse qeset plastike fillojnë procesin tretës pas 1000 vjetve. Shkallët e dekompozimit ulen edhe me shumë kur prodhuesit shtojnë antioksidant që rrit rezistencën e plastikës ndaj përmbajtjeve acidike.
Arsyeja për degradimin e ngadalshëm është shumë e thjeshtë. Lidhjet kimike që i përmban materiali plastikë nuk janë të njohura për bakteriet e natyrës dhe këto materiale të tilla quhen "xenobiotike" (:ksenobiotike: /emër/ - substanca të panjohura për trupin apo sistemin ekologjik, një kimikat që gjindet në një organizëm por nuk prodhohet ose nuk pritet të jetë normalisht pjesë e atij organizmi).
Meqenëse ky material nuk ekziston në formë natyrale në natyrë (si kallam sheqeri, pambuku etj.) si pasojë nuk ekziston as edhe një organizëm natyral që e ka informacionin e duhur t’i tret plastikat efektivisht në dhé apo fare. Për shkak që është rreth nesh vetëm këto 50 vitet e fundit, nuk ka asnjë eksperiment apo hulumtim që përmban të dhëna për asgjësimin e këtij materiali, e po ashtu as nuk mund të jemi të sigurtë se ky material do të dekompozohet pas 450-1000+ viteve. Në fund të fundit, ka jetëgjatësinë më të gjatë sesa një qenie njerëzore dhe askush nuk ka jetuar aq gjatë që t’i dijë pasojat.