Pse përdorimi i qeseve të plastikës duhet të ndalohet
Qeset e plastikës janë një ndër mijëra shërbimet në të cilat formësohet materiali plastik. Ato përdoren çdo ditë, por çfarë ndodhë pasi të hidhen?
Sipas The World Counts, rreth 5 trilionë qese plastike konsumohen në vit, 160,000 qese për sekond! Aq shumë saqë çdo burrë, grua apo fëmijë në planet përdor rreth 700 qese çdo vit. Nga këto 30 deri në 50 milionë qese njëpërdorimshe përfundojnë si mbeturina në mjedise natyrore si plazhe, rrugë e parqe; kurse 200,000 prej tyre përfundojnë në deponi çdo orë.
Thuajse gjithë këto qese plastike janë të një-përdorshme rrjedhimisht duke na shërbyer vetëm një herë në jetë. Si mbeturina përpos që nuk janë të këndshme për syrin, këto mbetje plastike janë edhe më të dëmshme për shëndetin dhe ekosistemin tonë.
Qeveritë në mbarë botën kanë përvetësuar praktika të ndryshme për të ulur apo larguar përdorimin e qeseve plastike, duke implementuar politikat si ndalimin e përdorimit, rritjen e taksave ndaj përdorimit apo inkurajimin e qytetarëve për të ulur konsumin përmes kampanjave informative mjedisore.
Për shkak të dëmeve dhe kostos së lartë, sipas Kombeve të Bashkuara, 77 shtete në botë kanë marrë iniciativën që të ndalojnë përdorimin e qeseve plastike ose t’i bëjnë me pagesë.
Dëmet që shkakton përdorimi i qeseve plastike:
- Ndotin mjedisin: dheun, ujin dhe ajrin
- Nuk dekompozohen kurrë
- Mbysin miliona kafshë për çdo vit
- Janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut
- Prodhohen prej burimeve të shterrshme dhe kontribuojnë në ndryshimin klimatik
- Mbledhja e mbeturinave të qeseve plastike kushton shtrenjtë
- Janë vështirë të riciklueshme
#1 NDOTIN MJEDISIN: DHEUN, UJIN DHE AJRIN
Të ngatërruara në pemë e gardhe, përgjatë rrugëve, duke lundruar mbi ujë, nëpër tokë në parqe, pyje, në kosha të mbeturinave apo edhe në brigjet e bregdetit i shohim gjithandej mbetjet e qeseve plastike. Për shkak që ato shumë lehtë barten nga erërat shpërndahen lehtësisht dhe mund të përfundojnë duke bllokuar edhe kanalizimet për kullimin e stuhive.
Kur bie shi musoni, rrugët përmbyten nga të rreshurat për pak minuta meqë uji nuk mund të largohet përmes mbledhësve të kalaizimit kur këta të fundit janë të mbushur me mbeturina plastike, e prej ku edhe gjasat që të shndërrohet në terren mbarështimi për mikrobe e bakterie që shkaktojnë sëmundje të ndryshme janë të larta.
Këto dukuri tashmë janë shfaqur edhe në përmbytjet e sivjetme në qytete Kosovare si
Peja, Mitrovica, Skenderaji dhe Podujeva ku bllokimi i kanaleve ujore ishte shkaktuar nga grumbullimi i mbeturinave të hedhura apo të bartura nga rrymat e ujit. Raste të tilla po ndodhin edhe në vende si Bangladeshi ku kanalet e kullimit bllokohen nga qeset plastike duke shkaktuar përmbytje në zonat urbane.
Përveç kësaj, procesi i ekstraktimit dhe rafinimi i lëndëve djegëse fosile për t’i procesuar plastikat krijon emetime edhe më toksike të cilat prekin komunitetet afër dhe dëmtojnë puntorët, duke prishur zonat rurale dhe natyrale për t’i kthyer në zona industriale ku pyjet e tokat bujqësore shndërrohen në rrugë, puseta, tubacione dhe infrastruktura të tjera.
#2 NUK DEKOMPOZOHEN KURRË
Plastika si material jeton shumë më gjatë se një njeri. Qeset e krijuara nga plastika përmbajnë polimer sintetik tejet rezistent dhe supozohet se marrin 1000+ vjet për t’u degraduar apo nuk degradohen kurrë krejtësisht në mjedise natyrore. Ato nuk treten në tokë por faktikisht foto-degradohen. Ajo që ndodh është se qeset plastike nga fërkimi në mjedis dhe rrezatimi i diellit, përthehen në grimca edhe më të vogla - mikroplastika - të cilat nuk mund t’i shohim me sy. Mikroplastikat depozitohen nëpër dhera (aty ku rrisim ushqimin), në kanalet e ujërave (prej nga pijmë ujin) dhe shpërndahen në ajër. Këto grimca janë aq të vogla saqë janë të padukshme për ne, por edhe pse nuk i shohim, këto grimca të pashkatërrueshme tanimë kanë kontaminuar çdo gjë nga zinxhiri jonë ushqimor dhe mbrendësinë e organeve tona trupore. Tashmë Regjioni i Paqësorit Verior përmban 6 herë më shumë fragmente mikroplastike sesa planktone.
#3 MBYSIN MILIONA KAFSHË PËR ÇDO VIT
Përpos që qeset plastike po bëjnë rrugëtimin e tyre në mjedisin tonë ato po hyjnë edhe në habitatet e kafshëve dhe po çekuilibrojnë ekosistemet e tyre. Përafërsisht 1 milionë kafshë të detit siç janë shpendët e detit, gjitarët, dhe gjallesat ujore vdesin çdo vit nga plastika ashtu siç raporton IOP Conference Series: Earth and Environmental Science. Shumë organizma të zinxhirit ushqimor si zogjtë, kafshët tokësore si kërmijtë e deri tek ato të detit ngatërrojnë plastikën me ushqim dhe përfundojnë duke e gëlltitur. Specifikisht, qeset plastike të cilat i ngjajnë kandilave të detit janë materiali sintetik që më së shpeshti gjendet në stomakun e breshkave, ndërsa është konstatuar se peshqit përgjatë brigjeve perëndimore hanë rreth 12,000 ton plastikë për vit.
Para dy dekadave, është zbuluar një pelikan i vdekur që kishte gëlltitur 17 qese plastike në stomakun e tij. Qeset plastike mbërthehen në sistemin tretës të këtyre kafshëve dhe pengojnë tretjen. Këto kafshë të gjitha vdesin nga asfiksimi apo uria me mendimin se janë të ngopura.
Kjo mbeturinë plastike përpos që gëlltitet, ajo poashtu kthehet në pengesë gjatë rrugëtimit të breshkave bebe të cilat ngatërrohen në të kur nisen për në oqean. Një video nga National Geographic vizualisht e shpjegon përjetimin e këtyre kafshëve kur ngatërrohen nëpër mbeturinat tona.
Në vitin 2008 një krokodil në Australi u gjet i vdekur për shkak që 25 qese plastike kishin mbushur barkun e tij. Fakti më i rëndë është se këto kafshë nuk janë fare të vetëdijshme që gëlltitja e këtij materiali mund t’i dërgoj drejtë vdekjes dhe problemeve shëndetësore siç janë infeksionet, bllokadat e dhimbshme të zorrëve, uria dhe vdekja.
Ka shumë raste të zogjëve që janë zënë në qese plastike dhe nuk kanë mundur të fluturojnë, lëvizin apo ushqehen eventualisht duke iu zënë fryma. Të njejtin fat e kanë pasur edhe delfinat, balenat, fokat, macat, qentë, drerët e shumë kafshë të tjera.
Kjo e gjitha përkthehet në pasoja shkatërruese sepse edhe nëse këto kafshë kanë konsumuar plastikë dhe kanë vdekur nga pamundësia për t’a tretur, kur trupat e tyre kalben kjo plastikë mbijeton dhe kështu vazhdon të konsumohet nga kafshë tjera duke ri-nisur ciklin toksik nga fillimi.
Edhe koralet e oqeanit kanë pësuar një fat të tillë. Përpos që ne varemi nga koralet sepse janë vitale ndaj egzistencës tonë, ato servojnë edhe si bariera ndaj uraganëve e tsunamive dhe ofrojnë komponime të cilat përdoren në medicinë për të shërruar sëmundje si kanceri. Ato shërbejnë si struktura mbresëlënëse të cilat mundësojnë strehim për kafshët dhe mbrojnë vijat bregdetare nga ujërat e valëzuara, por plastika po i vret. Qeset plastike të ngatërruara në skajet e tyre të mprehta, dëmtojnë koralet duke ia pamundësuar ndriçimin dhe lirojnë toksina të cilat i japin mundësi patogjeneve të invadojnë ato duke shkaktuar sëmundje.
Një studim i punuar në vitin 2018 për koralet e Paqësorit ka konfirmuar se ndotja me plastikë po shkakton sëmundje gradualisht duke i shkatërruar kolonitë shumë vjeçare të këtyre koraleve dhe po përshpejton shkatërrimin e ekosistemeve me biodiversitetin më të lartë në Tokë.
#4 JANË TË RREZIKSHME PËR SHËNDETIN E NJERIUT
Ne tashmë jemi duke konsumuar plastikë për çdo ditë. Ato janë gjetur edhe në jashtëqitjen tonë dhe shumica e asaj çfarë hajmë dhe pijmë gjatë ditës ka përmbajtje mikroplastike në të. Qeset plastike përmbajnë ndotës si bifenili i poliklorinuar që përçan sistemin tonë endokrinal. Ftalatet, vetë kimikatet që i japin plastikës cilësitë e tyre të dëshirueshme si fleksibilitetin dhe butësinë, janë përçarës endokrinal, të lidhur me një mori problemesh shëndetësore nga fertiliteti e deri tek ndikimet neonatale si alergjitë dhe astma tek foshnjet. Përpos kësaj ato përmbajnë edhe aditiv inorganik për t’iu dhënë ngjyrë. Këto ngjyra kullojnë toksina dhe përmbajnë gjurmë të metaleve të rënda si plumbi apo kadmiumi, të dyja shkaktar të dëmeve në veshkë dhe funksionimit të çrregulluar të organeve të tjera.
Mikroplastikat janë gjetur në pije të gazuara të njohura, uji i rubinetit e deri te ushqimi i detit. Këto grimca të vogla përveç që po hyjnë në ushqim përmes produkteve të cilat janë të gjitha të mbështjellura me plastikë, edhe konsumi i mishit, për shkak të gëlltitjes së plastikave nga kafsha, ndikon në shpërndarjen e tyre në organet tona.
Një ekip hulumtuesish nga MedVienna ka zbuluar se ne tashmë po hamë afro pesë gram mikroplastika në javë për person. Kjo është ekuivalente me peshën e një karte krediti dhe nuk është fare për t’u çuditur.
#5 PRODHOHEN PREJ BURIMEVE TË SHTERRSHME DHE KONTRIBUOJNË NË NDRYSHIMIN KLIMATIK
Shumë herë e kemi dëgjuar fjalën “të kursejmë energji”. Sa herë që ne pranojmë një qese plastike ne po kontribuojmë në harxhimin e kësaj energjije. Para se gjithash, për të prodhuar këto qese njëpërdorimshe, rezina e plastikës duhet prodhuar. Për t’u prodhuar kjo rezinë shfrytëzohen burimet e shterrshme të tokës si gazi natyor dhe vajërat, ku çdo vit ky prodhim përdor rreth 12 milionë fuçi vaji. Energjia që nevojitet të ngasësh një veturë për një kilometër është e barabartë me energjinë që përdoret për të prodhuar 8.7 qese plastike. Globalisht 8-10% e furnizimit me vaj shkon për prodhimin e këtyre qeseve plastike të cilat sipas statistikave ne i përdorim vetëm 12 minuta për person, para se t’i hedhim ato.
Ndonëse pjesa më ironike qëndron në përdorimin e burimeve të shterrshme të Tokës në këtë mënyrë shkatërruese, për të prodhuar një produkt që përdoret vetëm 12 minuta! Përdorimi i burimeve të shterrshme për qëllime të tilla, është tejet i pamenduar krahasuar me jetëgjatësinë e produktit, shpejtësinë e përdorimit dhe sasinë e rezervave. Tashmë dihet se me këto hapa rezervat e vajit natyror do të mbulojnë nevojat tona vetëm deri në vitin 2052, gazit natyror deri në 2060 dhe qymyrit deri në 2090..
Për shkak që këto qese prodhohen prej burimeve tona të shterrshme, ato kontribuojnë marrëzisht në ngrohjen globale. Lëndët djegëse fosile që prodhojnë këto gazra serrë afektojnë ajrin tonë dhe si rezultat ndihmojnë përshpejtimin e krizës klimatike.
As qeset e ashtuquajtura “të biodegradueshme dhe miqësore për mjedisin” nuk janë zgjidhje. Këtyre qeseve i duhen gjashtë muaj për t’u shpërbërë në impiante me kushte të veçanta, por edhe pse tingëllon si diçka e leverdishme, procesi që nevojitet për t’u dekompozuar këto qese me bazë benzine liron karbon që shndërrohet në gaz metani i cili është njëri nga gazrat serrë që afekton ndryshimin e klimës. Këto qese po ashtu shpërbëhen nga drita e diellit dhe nxehtësia duke u shndërruar në qindra mikroplastika.
#6 GRUMBULLIMI I MBETURINAVE TË QESEVE PLASTIKE KUSHTON SHTRENJTË
Cfarë ndodhë me qeset të cilat përfundojnë në deponi, në dhe apo nëpër plazhe?
Puna e pastrimit të tyre kushton shtrenjtë. Një qese plastike kushton afro 5 cent, por në shkallën e sasisë të qeseve që përdoren në ditë ajo përkthehet në një shumë më të madhe fitimi. "1 Bag At A Time" raporton se për të pastruar mbetjet e qeseve kushton 17 cent për qese, dhe taksapaguesit janë ata të cilët duhet të investojnë para për të, përderisa në SHBA pastrimi i qeseve kushton rreth 88 dollar çdo vit për individ.
Ajo çfarë duket si e lirë, nuk është e lirë.
#7 JANË VËSHTIRË TË RICIKLUESHME
Sasia e riciklimit të qeseve plastike është më pak se 1% botërisht. Dëmet që shkakton riciklimi i tyre ka bërë që ato të mënjanohen nga fabrikat e riciklimit duke i mënjanuar dhe duke i hedhur në mjedis përsëri. Shumë prej këtyre fabrikave nuk kanë potencial as kapacitet për t’i ricikluar qeset plastike për shkak që përmbajnë polietilen me densitet të lartë. Atyre u nevojiten pajisje të specializuara për t’i thyer këto plastika dhe për ti shkrirë në një produkt të ri.
Në sistemet ekzistuese të makinerive, përpunimi i qeseve plastike zakonisht përfundon duke bllokuar pajisje dhe krijon probleme të cilat riparohen vetëm me ndalesën e punës dhe marrin shumë kohë për t’i rikthyer pajisjet në gjendjen e mëparshme. Për t’i ricikluar këto qese, ato duhen të jenë po ashtu të pastra. Duke konsideruar faktin se qeset e plastikës kryesisht përdoren nëpër shtëpi për të hedhur mbeturina, në këtë pikë, ndarja dhe pastrimi i tyre nga ndotësit e tjerë dhe kontaminimi bëhet i pamundur.
Janë përkatësisht 50 lloje të tipeve të ndryshme plastike, gjë që e vështirëson procesimin dhe renditjen e tyre në krahasim me artikujt e riciklueshëm. E njejta qese plastike e ricikluar mund të riciklohet vetëm 2-3 herë deri sa të humb kualitetin për shkak të zinxhirit të polimerit i cili humb fuqinë dhe fleksibilitetin
Në përgjithësi, duke ricikluar qeset plastike, po u jepet një mundësi e dytë ose e tretë jetese. Anise procesi i riciklimit mund të kursejë një përqindje të ulët të burimeve natyrore dhe ndotjes, megjithatë mbetjet e qeseve ashtu siç janë, të ricikluara apo të pa ricikluara, do të vazhdojnë të shkaktojnë dëmet e lartëcekura në shëndetin, mjedisin dhe biodiversitetin tonë.
#killtheplasticbags