MIKROPLASTIKA: SI U ZBULUA? CILAT JANË LLOJET?
Mikroplastikat, siç thotë edhe emri i tyre, janë partikula të vogla plastike, më të vogla se 5 mm në diametër, pothuajse në madhësi të orizit të cilat ndahen në dy kategori: Primare dhe Sekondare.
Mikroplastikat primare janë të dizajnuara për përdorim komercial siç janë kozmetikat, apo edhe mikrofibrat të cilat derdhen nga rrobat dhe tekstilet e ndryshme. Mikroplastikat sekondare janë partikula që vijnë si rezultat i shpërbërjes së plastikave me madhësi më të madhe apo makroplastikat siç janë shishet e ujit për shembull. Kjo shpërbërje ndodh për shkak të ekspozimit të gjatë në faktor ambiental, kryesisht nga radiacioni i diellit dhe valët e oqeanit.
Mikroplastikat për herë të parë u gjetën nga biologu Edward Carpenter në vitin 1972 teksa ai po studionte algat në det.
Sa herë që ai tërhiqte rrjetën në sipërfaqen e oqeanit, ajo ishte e mbushur me plastikë. Pastaj Edward filloi të katalogoj peshën dhe numrin e grimcave që gjente nëpër oqeane. Ai tha se kishte lloje të ndryshme të copave të vogla plastike të dhëmbëzuara me diametër 5-6 milimetra, gjithashtu dhe gjilpëra plastike të cilat janë lëndët e para të plastikës që i shiten një fabrikuesi për të bërë lodër ose objekte tjera plastike. Mirëpo komuniteti i shkencës nuk e priti mirë në atë kohë, deri në vitin 2004 ku termi "mikroplastikë" u shpik nga një hulumtim i shkruar prej tetë shkencëtarëve i cili përshkruan akumulimin afatgjatë të fragmenteve vetëm disa mikronë në diametër në oqeane afër zonave pelagjike dhe habitateve sedimentare.
Hulumtimet aktuale kanë filluar po ashtu të tregojnë se edhe dheu e ajri tashmë janë ndotur me mikroplastika njësoj si oqeanet.
Problemi i mikroplastikave është njësoj si i plastikave të mëdha apo makroplastikat. Ato nuk thehen apo shpërbëhen në molekula të padëmshme. Përveç këtij fakti, ne tashmë e dijmë që plastikave u duhen qindra e mijëra vjet të dekompozohen në ambient dhe në proces e sipër kontaminojnë tmerrësisht ekosistemin tonë në mënyrë të pakthyeshme. Deri së fundmi mikroplastikat kanë qenë një temë e anashkaluar nga monitorimi i ndotjes plastike. Edhe pse brenda dekadës së fundit janë mbledhur shumë të dhëna rreth tyre, tema e tyre sapo ka filluar të bëhet temë kryesore dhe aktuale rreth impaktit dhe pasojave që ka shkaktuar përdorimi i pakontrolluar i plastikës.