MAKROPLASTIKA: SI NDIKON NË SHËNDETIN TONË?

 Ndotja plastike është një problem global që ka impakt në të gjithë njerëzimin dhe ekosistemin. Në dekadën e fundit, plastika ka afektuar jetën dhe shëndetin e njerëzve në nivele shumë të larta që e vë në pikëpyetje përdorimin e saj në jetën e përditshme. Shumë prej materialeve natyrale që janë përdorur më herët si letra apo pambuku janë zëvendësuar nga plastika.

Komplet cikli jetësor i saj ka ndikim tejet negativ në shëndetin njerëzor. Që nga ekstraktimi e prodhimi deri kur arrin tek raftet e dyqanit ku blihet, pastaj konsumohet nga njerëzit dhe përfundon duke u hedhur në mbeturina ku shumicën e rasteve shkon në deponi dhe keqmenaxhohet duke ndikuar masivisht në ndotjen e ajrit, ujit dhe dheut.

Ky material është i destinuar që nga lindja e deri në infinit të jetë toksik për shëndetin tonë. Ne pijmë thithim dhe gëlltitim deri në 5 gram plastikë në javë. Ky kontaminim vjen nga “mikroplastikat” të cilat janë më pak se 5mm në diametër dhe nuk mund t’i shohim me sy. Një studim që është bërë në Newcastle, Australia thotë se ne gëlltisim afro 2,000 grimca të mikroplastikës në javë. Këto pjesë të vogla vijnë prej shumë burimeve siç janë fibrat e rrobave sintetike, mikrorruaza që vijnë nga pasta e dhëmbëve apo edhe pjesë të mëdha plastike të cilat gradualisht fërkohen dhe shpërbëhen në copa të vogla.

Shumë aditiv që përzihen për të arritur një veti të caktuar si stabilitet, fortësi apo edhe ngjyrë janë kimikate të identifikuara si dëmtuese për shëndetin e njeriut duke përçarë sistemin tonë hormonal. Disa prej aditivëve më të zakonshëm që gjinden në plastikë janë këto:

  • Bisphenol A (BPA) i cili përdoret në shishe, astar ushqimesh, kontejner plastikë e shumë të tjera, luan rol të madh në përçarjen hormonale,
  • Ftalat të cilat njihen edhe me emrin acidet 2–benzenedikarboksiklike, prej së cilës më së shumti prodhohen lodra për fëmijë, njihet si një kimikat që prish sistemin endokrinal dhe përçan hormonet duke shkaktuar defekte në lindje, rhinitis dhe ekzema sidomos tek fëmijtë. 
  • Retardantët e brominuar të flakës siç janë: tetrabromobisfenol A (TBBPA) dhe eteret e polibrominuara difenil (PBDE) janë prezente në produkte elektronike termoplastike siç janë kompjuterat, telefonat, televizori dhe tekstili. Për arsyje se nuk janë kimikisht të lidhura me polimeret e plastikës kjo e bën të lehtë që këto substanca të kullohen dhe të kontaminojnë ambientin. Retardantët janë përçarës hormonal që nxitin aktivitetin e hormoneve tiroide dhe estrogjenit duke shkaktuar zhvillim të dëmshëm në sistemin nervor dhe atë riprodhues.
  • Bifenilet e poliklorinuara (PCB) vazhdimisht njihen si dëmtues të gjallesave të Tokës dhe shkaktojnë çrregullime riprodhuese,  hormonale duke rritur gjasat për sëmundje të ndryshme.

Një studim nga Orb Media thotë që mikroplastikat po kontaminojnë edhe ujin e rubinetit në gjithë botën. Ata analizuan 159 lloje të ujit të rubinetit në 14 shtete, disa nga të zhvilluarat e disa nga ato në zhvillim. Nga këto mostra, 81% kishin grimca, prej 0-61 grimca për litër. Rezultati konkludoi se mesatarja ishte 5.45 grimca për litër me SH.B.A.-n që kishte shkallën më të lartë dhe shtetet e Evropës shkallën katër herë më të ulët sesa SH.B.A. 98% të të gjithë këtyre grimcave ishin fibra. Kur ata analizuan 259 lloje të ndryshme të shisheve plastike të ujit prej 19 lokacioneve të ndryshme prej të cilave 11, ishin marka të njohura të ujit, ata gjetën grimca mikroplastike në 93% të mostrave me mesatare të 325 grimcave plastike për liter. Testimi shfaq mesatarisht 10.4 grimca plastike për litër, afro dyfishi i ujit të rubinetit. 

Në krahasim me kimikatet që gjenden në plastikë, shumë pak dihet për efektet toksike të këtyre grimcave në trupin e njeriut. Një rishqyrtim rishtaz i rreziqeve shëndetsore të mikroplastikave thotë se kur ato hyjnë në trup e çojnë trupin drejtë inflamacionit e deri tek kanceri, sëmundjet e zemrës, artriti reumatik, gjenotoksiciteti apo dëmtimi i informatës gjenetike që dërgon qelizat drejtë mutacionit dhe sëmundjet kronike siç janë diabeti, ateroskleroza, sulmet e ndryshme etj. 

Studimet tregojnë se njerëzit janë të ekspozuar ndaj shumëllojshmërisë mikroplastike dhe kimikatet toksike nëpërmjet përdorimit të objekteve të konsumit plastikë siç janë ambalazhet. Ndërsa ka ende boshllëk në njohuri ndaj kësaj, të dhënat e disponueshme deri më sot qartë tregojnë një bollëk ndikimesh të rënda që plastika ka në shëndetin e njeriut.

Kjo është vetëm pjesa e kontaktit direkt që ne kemi çdo ditë me këtë material. Kontakti jonë indirekt nis me procedurën e prodhimit të plastikës siç janë: ekstraktimi me teknikën “fracking”, rafinimi dhe plasaritja dhe procesimi e prodhimi.

99% e plastikës që vijnë nga lëndët djegëse fosile. Përveç që e lëndojnë tokën gjatë nxjerrjes me metodën “fracking”, kjo metodë liron aq shumë kimikate toksike në ajër saqë komunitetet që jetojnë afër dhe punëtorët që kanë kontakt direkt, i thithin apo gëlltitin ato.

Rafinimi dhe plasaritja janë aq të rrezikshme për njerëzit dhe klimën tonë saqë kemi shembull kompaninë më të madhe të rafinimit petrokimik në Houston, Texas që tashmë ka dëmtuar rëndë komunitetet fqinje. 

Procesimi dhe prodhimi është njëri prej indikatorëve më të mëdhenj për shkak që liron aq shumë substanca toksike në ajër saqë kontribuon më së shumti në ndryshimet klimatike dhe shëndetin tonë në tërësi.  

 

DËMTIMI I KAFSHËVE

Çdo vit, ndotja plastike vret me miliona kafshë si ato në tokë ashtu edhe ato në detëra e oqeane. Janë tri mënyra të ditura se si i afekton kafshët siç janë: 

1. ngatërrimi apo kokolepsja e kafshëve në to nëpërmjet rrjetave apo litarëve plastikë, 

2. gëlltitja e tyre e paqëllimshme, indirekte apo e qëllimshme ku ata ngatërrojnë ushqimin e tyre me

3. plastikë apo ushqehen me kafshë të cilat tashmë kanë gëlltitur plastikë

ndërveprimi si përplasja, pengimi apo gërryerja (si p.sh. përdorimi i mjeteve të peshkimit përplaset apo lëndon ekosistemin e koraleve).

Për një zog, peshk ose breshkë është lehtë të ngatërrohet një copë e vogël plastike me ushqim - veçantërisht kur ka miliona copa plastike që ladrojnë në tokë, notojnë në lumenjë e në fund të fundit mbërrijnë në oqeanet tona. Shkencëtarët kanë gjetur fragmente plastike në qindra lloje, duke përfshirë 86% të breshkave, 44% të të gjitha llojeve të shpendëve të detit dhe 43% të të gjitha llojeve të gjitarëve detare.

Gëlltitja e këtyre fragmenteve është shpesh fatale. Kafshët mund të vdesin nga uria kur hanë shumë plastikë meqenëse nuk mund ta tretin dhe mbetjet tona plastike ua bllokojnë traktin e tyre tretës. Si rezultat, ata vdesin nga uria me ndjenjën se janë të ngopur. Përveç që kimikatet toksike në plastikë mund të dëmtojnë shëndetin e kafshëve, ne gjithësesi i hamë ato ndërsa bëjnë rrugëtimin drejt nesh përmes zinxhirit ushqimor.

 

NDOTJA E AJRIT

Studimet tani po tregojnë se zhvillimi i gazit dhe vajit ndot ajrin duke përfshirë edhe gjatë proceseve si prodhimi, procesimi, transporti dhe ruajtja në depo. Mes vitit 2009 dhe 2015, 685 studime hetojnë impaktin e metodës “fracking”. Prej 46 studimeve ne temën e kualitetit të ajrit, 87% thonë se “fracking” është indikator i lartë i emetimit të ndotjes së ajrit. Prodhimi i gazit dhe naftës emeton rreth 9 milion ton të gazit metan dhe ndotësve tjerë siç janë komponimet organike të avullueshme të përziera me nitrogjen që kur ekspozohen në rrezet e diellit krijojnë ozon dhe ndotje nga smogu në nivelin tokësor duke qenë tepër të dëmshme për shëndetin e gjallesave në tokë. 

Smogu i ozonit ka ndikuar në komunitetet rurale për shkak që shpërndahet deri në 200 milje prej ku ka filluar ndotja të përhapet. Ekspozimi kronik në këtë smog të ozonit shkakton sëmundje të ndryshme pulmonare dhe reaksionet më të rënda i ka tek fëmijët, njerëzit që kanë probleme me traktet e frymëmarrjes dhe tek të moshuarit.

Kur fillon “shpërbërja” e plastikës nëpër deponi apo edhe në tokë e ujë, ajo liron gazra shumë të rrezikshme siç janë dy prej tyre: dioksidi i karbonit dhe metani. Edhe djegia e plastikës siç ndodh në shumicën e deponive liron ndotës si metalet e rënda, dioksinat, PCB-të dhe furani. Roli i plastikës në ndotjen e ajrit në shtetet në zhvillim dhe të varfëra nuk mund të mbitheksohet dhe impakti në gjeneratat e ardhshme mund të jetë masiv.

 

NDOTJA E UJIT

Shumica e mbeturinave plastike në oqeane, vjen nga toka. Ato barten në det prej lumenjëve të mëdhenj që luajnë rolin e rripit transportues. Ka shumë vende në oqeane që tashmë po i quajnë “ishuj” të bërllokut tonë që është akumuluar me vite. 

Këto “përtitje” quhen Përtitja Veri-Atlantike, Përtitja Jug-Atlantike, Përtitja Veri-Paqësore, Përtitja Jug-Paqësore dhe Përtitja e Oqeanit Indian. Më e famshme nga këto është Përtitja e Paqësorit të Madh. Ishulli është i ndërtuar me llume kimike dhe plastika të mëdha (si p.sh. poça elektrik, qese plastike, shishe plastike, rrjeta peshkimi, furrça dhëmbësh etj.) që kanë zënë në grackë në përtitjen e Veri-Paqësorit. Ky ishull është koleksion i mbeturinave që vijnë e mblidhen nga valët prej shteteve përreth tij.

Një term i ri që përdoret për të spjeguar këtë është “plastic soups” apo “supat me plastikë” të cilat po rriten në norma marramendëse deri 10x herë më shumë çdo dekadë që nga viti 1950. Për çdo vit derdhen rreth 4 deri 12.7 milion tonelata plastikë hedhur nëpër oqeane. Kimikatet toksike si PCB-të nuk shkrihen në ujë por absorbohen nga plastika me çrast peshqit që ushqehen me planktone gëlltitin këto plastika toksike pastaj këta peshqi i hanë predator më të mëdhenj dhe kështu ato qarkullojnë në zinxhirin ushqimor të gjallesave detare. Peshkatarët pastaj zënë këta peshqi që kane absorbuar kimikatet në indet e tyre dhe në fund ne i hamë të mbushur me toksina.

Më shumë se 260 specie që jetojnë në ujë siç janë breshkat, ndërvertebrorët, shpendët e detit, peshqit dhe gjitarët ose gëlltisin ose ngatërrohen në këto mbeturina plastike duke rezultuar në moslëvizje të lehtë, ushqim i ndotur, ulçera dhe eventualisht vdekje. 

Sidomos metoda “fracking” që përdoret për ekstraktimin e burimeve natyrore hyn në burimet ujore nga derdhja dhe nga trajtimi jo i duhur i ujërave të zeza apo infrastrukturës me të meta duke rezultuar në ndikime negative në shëndetin kolektiv (kafshët, njerëzit, planeti). 

 

NDOTJA E DHEUT

Përderisa gjithë vëmendja qëndron tek ndotja e oqeaneve dhe impakti i plastikave në jetën detare, ato që gjinden në dheun tonë shpesh nuk konsiderohen fare. Sipas një raporti të fundit nga Organizata e Kombeve të bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësine (FAO) dheu i tokës mund të jetë më i ngopur me ndotje plastike sesa oqeanet dhe rreth 80% e plastikës që gjindet në mjediset detare hidhet fillimisht në tokë. Ky raport shpall thirrjen e parë për të mbrojtur tokat bujqësore nga ndotja plastike bazuar në parimin “6R” për përdorim të qëndrueshëm të plastikës i cili përfshin refuzimin, ridizajnimin, reduktimin, ripërdorimin, riciklimin dhe rikuperimin e plastikës. 

Plastika që e gjen rrugën drejtë dheut tonë është zakonisht plastika një-përdorimshe. Edhe pse shumë pak të dhëna gjinden për ndotjen e dheut nga plastika, ne e dijmë se 80% e mbeturinave që gjinden në oqeane (Përtitja Veri-Atlantike, Përtitja Jug-Atlantike, Përtitja Veri-Paqësore, Përtitja Jug-Paqësore dhe Përtitja e Oqeanit Indian) vijnë fillimisht nga toka apo dheu ku ato hidhen si mbeturina. Të pakta ato studime që janë bërë thonë se plastika shërben si vektor i kimikateve dhe patogjenëve të dëmshme për shëndetin e njeriut. Ato e çrregullojnë biologjinë e dheut dhe themelimin e kulturave që negativisht e afekton sigurinë ushqimore. 

Termi “Plastikultura” përshkruan përdorimin e produkteve plastike në të gjitha aspektet bujqësore, që nga rritja e farave e deri tek parandalimi i presionit të barërave të këqija në ruajtjen e ushqimit. Ajo njihet si metodë për rritjen e prodhimit kulturor dhe zhvillimit të sigurisë ushqimore. Për shembull, përdorimi i filmave plastikë për mbulesë ka rritur efiçiencën e përdorimit të ujit. Fertilizuesit e mbështjellur në polimer kanë rritur rendimentet dhe mbrojtja e tyre me mbulesë plastike e ka rritur jetëgjatësinë e produkteve të korrura dhe ka zgjatur stinët e rritjes sidomos në kushte me mot të rëndë.

Momentalisht në përdorimin e plastikës në bujqësi fokusi qëndron më së shumti të përfitimet që i jep dhe më së paku në dëmin që shkakton. Një eksperiment që është bërë në kryesi me Mary Beth Kirkham, fiziologe e bimëve dhe profesoreshë e agronomisë në Kansas State University ka zbuluar se gruri i rritur në dheun e kontaminuar me mikroplastika, absorbon më shumë kadmium (element kimik që gjindet në natyrë dhe njihet si shkaktar i sëmundjeve të ndryshme) sesa bimët që janë rritur në dheun ku kadmiumi gjindet natyralisht. Gjetjet e eksperimentit nënkuptojnë se plastika në dheun tonë ndot ushqimin që e hamë. Përderisa plastikultura njihet për nxitjen e prodhimit afatshkurtë, shumë pak të dhëna gjinden për ndikimin afatgjatë bujqësor në shëndetin e dheut dhe si përfundim ndikimin e saj në zinxhirin tonë ushqimor.