Riciklimi kundrejt Mbiciklimit (Upcycling) : Mitet mbi Praktikat e Riciklimit

Hyrje

Kur bota përpiqet të përqendrohet në qëndrueshmëri, Riciklimi është fjala kryesore që merr pjesën më të madhe të vëmendjes, si rezultat më miqësor për mjedisin. Megjithatë, termi Mbiciklim (Upcycling) duket se qëndron nën hije kur bëhet fjalë për ndërgjegjësimin global mbi këto çështje mjedisore. Por, çfarë nënkuptojmë vërtet këto dy terma dhe cili është ndikimi i tyre në praktikë?

Riciklimi në përgjithësi ndahet në katër teknika: Riciklimi Parësor, Riciklimi Dytësor, Riciklimi Terciar dhe Riciklimi Kuaternar. Riciklimi parësor përfshin rikuperimin e mbetjeve plastike, të cilat më pas ripërpunohen në produkte të ngjashme me formën e tyre origjinale. Kjo metodë është veçanërisht efektive për plastikën e bërë nga një lloj i vetëm i materialit, duke lejuar përdorimin e saj përsëri në të njëjtat aplikime, dhe është teknika e riciklimit të cilën e njohin më së shumti. Në të kundërtën, riciklimi dytësor, i njohur gjithashtu si Mbiciklim, i referohet procesit ku plastikat ripërpunohen në produkte të ndryshme dhe zakonisht përfshin një përpunim më të zgjeruar. Kjo metodë mund të përfshijë përdorimin e llojeve të përziera të plastikës dhe përdor teknika për të rritur përshtatjen, që rezulton në krijimin e materialeve të reja (Kilanko and Olamigoke, 2024)​.

Ndikimet e Riciklimit

Megjithëse riciklimi vazhdon të konsiderohet si praktika më e rëndësishme apo më me ndikim në zgjidhjen e çështjeve mjedisore, shumë studime shkencore konfirmojnë se efektiviteti i tij është i kufizuar dhe shpesh i mbivlerësuar. Suksesi i riciklimit varet nga shumë faktorë si materiali i mbetjeve, sasia e energjisë që kërkon procesi i riciklimit, dhe sa mirë funksionon sistemi në tërësi (Ferrara et al., 2023). Edhe në vendet ku ekzistojnë sisteme të organizuara të riciklimit dhe qytetarët me qëllimin të mirë i ndajnë mbeturinat, vetëm 38 milionë ton nga 75 milionë ton plastikë që mblidhen çdo vit arrijnë të riciklohen (Euronews, 2025). Ndërkohë, në nivel global, vetëm 14% e plastikës mblidhet për riciklim dhe vetëm 5% riciklohet me sukses, ndërsa rreth 79% e mbetjeve plastike përfundojnë në deponi ose në mjedis (Rhodes, 2018).

Nga pikëpamja ekonomike, plastika e virgjër është shpesh më e lirë sesa plastika e ricikluar, kryesisht për shkak të luhatjeve të çmimeve të naftës. Andaj kjo luhatje e çmimeve e bën më të vështirë investimin në infrastrukturë dhe teknologji, duke ndikuar që normat e riciklimit të mbeten vazhdimisht të ulëta (Euronews, 2025).

Për më tepër, riciklimi, megjithëse synon të zvogëlojë ndotjen nga plastika, mund të kontribuojë në ndotje me mikroplastikë përmes mekanizmave të ndryshëm. Përdorimi i materialeve të ricikluara me cilësi të ulët, mund të çojë në lëshim dhe shpërbërje të mikroplastikës gjatë përdorimit. Vetë procesi mekanik i riciklimit, sidomos në fazën e grimcimit, prodhon mikroplastikë, me emetime të dukshme të grimcave të vogla në llojet e plastikave (Kahlert & Bening, 2024).

Ndikimet e Mbiciklimit (Upcycling)

Mbiciklimi, shpesh i konsideruar si një formë më e avancuar e riciklimit, përfshin krijimin e produkteve me vlerë më të lartë nga materialet e mbetjeve. Kjo praktikë jo vetëm që redukton mbetjet, por gjithashtu kursen burime natyrore dhe ul emetimet e gazeve serrë (Jain & Gualandris, 2023). Infrastruktura e mbiciklimit ka aftësinë të përpunojë një gamë më të gjerë të mbetjeve plastike krahasuar me riciklimin mekanik tradicional, duke shmangur në këtë mënyrë sasi të konsiderueshme mbetjesh që përndryshe do të përfundonin në deponi mbeturinash. Për shembull, një infrastrukturë kombëtare e Mbiciklimit në Shtetet e Bashkuara mund të arrijë një shkallë të qarkullimit prej 34%, duke shmangur nevojën për ndërtimin e 86 deponive të reja gjatë një periudhe prej 50 vitesh (Erickson et al., 2023). Studimet tregojnë gjithashtu se shndërrimi i mbetjeve plastike në materiale poroz karboni (karbon që ka shumë pore të vogla në sipërfaqen e tij dhe e bëjnë atë shumë të përthithshëm) mund të ndihmojë në kapjen e dioksidit te karbonit CO2 nga ajri. Për shembull, kur plastika PET përdoret për mbiciklim, ajo krijon një lloj karboni që ka aftësi të lartë për të thithur CO2, duke e bërë atë një mënyrë premtuese për të reduktuar karbonin në atmosferë (Li et al., 2024).

Shndërrimi i mbetjeve plastike në produkte të reja, si filamente për printim 3D, po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar si një mënyrë për të ndihmuar mjedisin dhe kjo arrihet përmes praktikave të mbiciklimit. Ky proces merr lloje të ndryshme të plastikës së përdorur dhe i shndërron në materiale të dobishme, duke ndihmuar në zvogëlimin e nevojës për plastikë të re dhe uljen e mbetjeve (Mejia et al., 2020).

Gjithashtu, në dizajn interior, mbiciklimi i mbetjeve mund të përdoret në mënyra kreative për të ndërtuar hapësira funksionale dhe të bukura. Për shembull, sendet e vjetra ose të hedhura mund të shndërrohen në mobilje ose dekorime, duke i bërë ato njëkohësisht të dobishme dhe miqësore me mjedisin (Ali et al., 2013). Madje, edhe sende të përditshme si kanace pijesh mund të ripërdoren si ora tavoline apo llampa, duke reduktuar mbeturinat dhe duke nxitur kreativitetin në mënyrën si prodhohen gjërat (Boonpracha et al., 2024).

Mitet mbi Praktikat e Riciklimit

Riciklimi shpesh shoqërohet me keqkuptime që e fsheh realitetin mbi efektivitetin e tij, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbeturinat plastike. Edhe pse ka një besim të përhapur mbi dobinë e riciklimit, në fakt vetëm rreth 5% e mbeturinave plastike riciklohen, gjë që tregon për sfidat e mëdha të këtij procesi ("Recycling", 2023).

Miti 1: Të gjitha plastikat mund të riciklohen

Shumë konsumatorë besojnë se çdo artikull plastik mund të riciklohet. Megjithatë, riciklimi i plastikës me shumë shtresa është veçanërisht i ndërlikuar, dhe shumë lloje të saj nuk mund të riciklohen në mënyrë efektive për shkak të përbërjes së përzier ("Recycling", 2023).

Miti 2: Shkalla e riciklimit është e lartë

Në të kundërt me atë që besohet, vetëm 14% e plastikës mblidhet për riciklim, dhe vetëm 5% përfundojnë duke u shndërruar në materiale të reja ("Recycling", 2023).

Miti 3: Riciklimi e zgjidh problemin e plastikës

Ndërkohë që riciklimi është pjesë e zgjidhjes, nuk e adreson shkakun kryesor të ndotjes nga plastika, dhe përafërsisht 79% e mbetjeve plastike përfundojnë në deponi mbeturinash ose në mjedis (Rhodes, 2018).

Miti 4: Plastikat biodegraduese janë një ndër zgjidhjet e problemit

Bioplastikat, që shpesh reklamohen si miqësore me mjedisin, përbëjnë vetëm 0.5% të prodhimit total të plastikës, dhe mund të mos dekompozohen në mënyrë efektive në natyrë (Rhodes, 2018).

Miti 5: Riciklimi është gjithmonë i dobishëm për mjedisin

Procesi i riciklimit mund të jetë energji-konsumues dhe nuk rezulton gjithmonë me përfitime mjedisore, veçanërisht kur merret parasysh energjia e përdorur për mbledhjen dhe përpunimin e mbeturinave (Baytekin et al., 2013).

Përfundim

Si përfundim, riciklimi gjithsesi mbetet një strategji thelbësore për arritjen e qëndrueshmërisë mjedisore dhe promovimin e ekonomisë qarkulluese. Megjithatë, trajtimi i miteve dhe keqkuptimeve mbi riciklimin është i domosdoshëm për zhvillimin e strategjive realiste dhe më me ndikim në qëndrueshmëri. Në realitet, riciklimi funksionon më së mirë kur kombinohet me reduktimin, ripërdorimin dhe mbiciklimin e mbetjeve; nëse mbështetemi shumë vetëm te riciklimi pa ndryshuar zgjidhjet tona dhe mënyrat e konsumimit, mund të përfundojmë duke rritur më shumë ndotjen dhe problemet e tjera mjedisore.