ÇKA ËSHTË EKONOMIA LINEARE?

     Jeta të cilën po e jetojmë të gjithë, në epokën e teknologjisë, komunikimit, të dhënave të shpejta dhe zhvillimit të proceseve të reja, po na jep më shumë përparësi se kurrë ndonjëherë. Për shkak të këtij zhvillimi, njerëzit tani mund t’i kryejnë punët në mënyrë më të shpejtë dhe efikas. Këto avancime përpos që kanë zhvilluar mënyrën se si operojmë në botë, kanë zgjuar shumë pyetje ndaj këtij modeli ekonomik me të cilin jemi prezantuar deri më sot.

     Studimet tregojnë që me normën aktuale të konsumimit të burimeve natyrore, civilizimi tashmë ka shkaktuar zhdukjen e gjashtë masive të gjallesave dhe pasurive të tokës. Siç e dijmë, në natyrë, përbërja e brendshme e sistemeve të gjalla mundëson që burimet të kthehen në mjedis nëpërmjet një rrjeti kompleks të rrjedhave të energjisë dhe cikleve ushqyese. Por me hyrjen e furrishme të industrializimit, këto sisteme kanë filluar të zhvendosen për shkak të mënyrës së re të jetesës.

     Aktualisht ne po jetojmë në sistemin e ekonomise lineare, prej të cilës shumë e shumë industri bëjnë të ardhura. Ekonomia lineare (linear shq. /mbiemër/ - vijor, që shtrihet në vijë të drejtë; që përllogaritet në rrafshin horizontal) është proces i njëtrajtshëm i ekonomisë prej së cilës bërlloku është pika përfundimtare e një cikli të pandalshëm. Ne kemi shpenzuar 150 vjet duke e perfeksionuar një model që ka bazë filozofinë “take, make, waste” apo “merr, bëj, hudh” e cila ngrit vlerën e produktit përmes prodhimit dhe shitjes të sa më shumë artikujve që është e mundur. Tashmë ne jemi duke konsumuar 75% më shumë burime natyrore sesa toka mund të ofroj. Ky zinxhir ekonomik është pasojë e dizajnit të dobët dhe të dëmshëm që nxjerr në pah qasjen ndaj burimeve natyrore gjatë integrimit të ciklit jetësor të produktit.

     Faza “merr” fillon me marrjen, nxjerrjen dhe shfrytëzimin e burimeve nga natyra, vazhdon me fazën e dytë “bëj” prej së cilës krijojmë produkt nga materiali i papërpunuar qe kemi nxjerrur nga toka, ndotim duke përdorur kimikale të ndryshme dhe duke hedhur nënproduktet apo materialin shtesë të papërdorur si efekt anësor.

Para se të arrij produkti tek raftet e dyqaneve si rezultat liron shumë gazra serrë si: dioksidi i karbonit, metani dhe oksidi azotit. Në fakt ekstraktimi dhe procesimi i materialeve të papërpunuara aktualisht është përgjegjës për gjysmën e plotë të lirimit të gazrave serrë në botë.

Toka dhe uji janë disa prej shumë burimeve vitale që keqpërdoren përgjatë veprimtarisë lineare, e që tashmëka ngritur në shkallë alarmuese humbjen e biodiversitetit, habitatit dhe përshpejtimin e ngrohjes globale.

Përfundimisht, pasi produkti arrin tek konsumatori dhe pasi e kryen nevojën e tij për të cilën është dizajnuar, hyn në fazën “hudh” prej ku cilësohet si mbeturinë, hudhet, nuk përdoret më kurrë dhe përfundon në deponi të mbeturinave apo kudo në natyrë.

A e ke vënë në mend se cfarë është jetëgjatësia e gjërave të përditshme që ti shfrytëzon ? Çfarë ndodhë me to kur ti nuk i dëshiron më ose kur e kryejnë procesin që janë dizajnuar ta kenë?

     Neglizhenca e indikimit shoqëror në atë ekologjik ka bërë që qëllimi primar i modelit linear të jetë vetëm rritja ekonomike. Si shkak i kësaj mendësije, çdo lloj mbeturine që ne hudhim si ato: plastikë, tekstil, ushqimore, elektronike, medicinale, ndërtimore e shumë e shumë të tjera, përfundojnë në natyrë dhe kërcënojnë e shkatërrojnë ekosistemin tonë pa kthim prapa. Teksa kjo qasje ka ngritur parimisht ekonominë e shteteve, ajo ka shkaktuar dëme te pakthyeshme me supozimin se burimet e tokës janë të pashtjerrshme.

     Kombet dhe qytetet urbanizohen, ngriten ekonomikisht dhe rriten si popullatë duke lënë prapa tyre çdo vjet nga 2,010,000,000.00 tonelata mbeturinash të të gjitha llojërave. Këto të fundit përgjithnjë mbesin duke u endur në tokë, detëra, oqeane, lumenjë, liqene, pyje e male si pasojë e një qasje primitive ndaj problemit. Statistikat janë aq tronditëse, saqë të gjitha këto mbeturina po t’i fusnim në kamione, ata kamione do shtriheshin ne rrathë përreth botës 24 herë. Ndërkaq nga ambalazhimi i ushqimit që prodhohet 8,000,000.00 tonelata plastikë përfundojnë në oqeane për çdo vit. Shumë prej nesh e dijmë këtë gjë dhe përsëri vazhdojmë të konsumojmë më shumë e më shumë gjëra.

      Rimëkëmbja e mënyrës se si jetojmë, bëjmë biznes dhe konsumojmë është një hap kritik për ta krijuar balancin e duhur mes aktivitetit njerëzor dhe ekosistemit të planetit tonë. Përkatësia e bizneseve në modelin “merr,bëj,hudh” dita ditës po shihet si model -i gabuar- sepse shpërfill ndikimin mjedisor dhe ka mungesë të logjikës karshi pasojave që shkakton nga proceset dhe ekseset që krijon: prej fillimit e deri tek fundi i jetës së një produkti/shërbimi.

Kjo temë është e pafund përshkak që është lineare dhe e përsëritshme në mënyrë infinite. Ne duhet të krijojmë modele të reja krijimtarije dhe ta ripërcaktojmë definicionin e suksesit në shoqëritë tona.

Një qasje e re dhe e mundshme drejt krijimit të balancit është koncepti i Ekonomisë Qarkore. Me fjalë tjera, ekonomia qarkore propozon që optimizimi i rendimentit të burimeve të shtrihet përgjatë komplet ciklit jetësor të një produkti- që nga fillimi i fazës “merr” e deri tek fundi i jetës së saj. Synimi është të marrim më pak dhe t’i shfrytëzojmë plotësisht të gjitha produktet, komponentët dhe materialet që kemi marrur përgjatë komplet fazës “merr,bëj,hudh” duke mos prodhuar, konsumuar e blerë më shumë sesa kemi nevojë.